Prof.dr. Artan Hoxha, Rektori i Universitetit të Tiranës, mbajti sot një leksion të hapur me temë "Procesi i integrimit evropian dhe reforma në drejtësi". Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit Jean Monnet Module, të Institutit të Studimeve Evropiane, koordinuar nga prof. as. Egla Gishti dhe u organizua në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, si edhe me pjesëmarrjen e studentëve e pedagogëve të ISE-së, FGJH-së dhe FD-së. Ndër të tjera, prof. dr. Artan Hoxha përshkroi etapat nëpër të cilat është zhvilluar ky proces, shtyllat më të rëndësishme të tij, si edhe rolin e profesoratit në ecurinë e suksesshme të kësaj reforme, ashtu si edhe të këtij rrugëtimi të shoqërisë dhe të institucione shtetërore shqiptare. Studentë dhe pedagogë patën rastin të diskutojnë me Prof. Hoxhën, si ekspert i reformës në drejtësi dhe profesor me përvojë të gjatë kërkimore në fushë, mbi çështje të veçanta të këtij procesi.