Instituti i Studimeve Europiane (ISE), UT,
në bashkëpunim me
International Chamber of Commerce (ICC),
  Organizojnë Konferencën Studentore
“Anti – korrupsioni, të drejtat e njeriut dhe integriteti: Forcimi i transparencës dhe përgjegjshmërisë për një bashkëpunim dhe qeverisje më të mirë mes sektorit publik dhe privat”
Universiteti i Tiranës
Salla multifunksionale ISE,
6 Dhjetor, 2019

 

 

 

 

Thirrje për punime:

Në kuadër të Javës së Integritetit, ISE në bashkëpunim me ICC do të organizojë Konferencën Studentore me titull “Anti-korrupsioni, të drejtat e njeriut dhe integriteti: Forcimi itransparences dhe llogaridhënies për një bashkëpunim dhe qeverisje më të mire mes sektorit public dhe privat”.

Kjo konferencë vjen si një iniciativë e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin midis sektorit të biznesit dhe akademisë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, mbrojtjen dhe promovimin e tyre në një shoqëri demokratike.

 

Java e Integritetit është një fushatë kombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit, një iniciativë e ICC Hollandë, ku veprimi kolektiv parashikohet si një levë për të tërhequr vëmendjen për rëndësinë e integritetit dhe për të promovuar sjelljen etike jo vetëm në mjedisin e biznesit, por edhe në organet qeveritare, sferën akademike dhe OJF – të.

Qëllimi i kësaj inisiative është të promovojë vlerat e integritetit në praktikë si për organizatat ashtu dhe për individët.

Universitetet luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore përmes arsimimit dhe kërkimit. Prandaj, Konferenca e këtij viti është përqëndruar në pjesëmarrjen e studentëve dhe studiuesve të rinj si dhe kontributin e tyre me punime që adresojnë çështjet e të drejtave të njeriut dhe integritetit, politikës kundër korrupsionit, transparencës dhe përgjegjësisë për një qeverisje më të mirë. Ajo shënon një hap përpara në bashkëpunimin e ardhshëm midis akademisë, sektorit privat, OJF-ve.

Kjo Konferencë mbahet gjatë një jave të rëndësishme pasi përkon me festimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (10 Dhjetor).

Mirëpriten punimet e paraqitura nga studentët e nivelit master dhe doktorantët nga universitete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo Konferencë synon të:

– Mbledhë së bashku studentët e nivelit master dhe doktorantët në një forum ku do të diskutohen si aspeket teorike ashtu edhe ato praktike të zgjedhura për trajtim, për të përcjellë më mire mesazhin e anti – korrupsionit dhe integritetit që lidhin këto koncepte me konceptet e të drejtave të njeriut;

– Adresojë konceptet e anti – korrupsionit dhe integritetit nga perspektiva e studentit dhe analizojë ato, mundësisht si një karakteristikë integrale e të drejtave të njeriut;

– Identifikojë problematikat, sfidat dhe të inkurajojë dhënien e mendimeve dhe debatin mbi temat që do të trajtohen,në një forum të përbashkët studentor;

– Promovojë studentët më të mirë, si dhe për t’i mbajtur ata më pranë tregut të punës.

Gjuha e konferencës do të jetë shqipja. Të gjitha punimet e pranuara dhe të prezantuara do të publikohen në proceedings të konferencës.

Data të rëndësishme

9 Tetor 2019  – afati për dorëzimin e abstrakteve (abstrakti duhet të përmbajë 250 – 300 fjalë dhe duhet të dorëzohet në shqip dhe anglisht, së bashku me fjalët kyçe).

14 Tetor 2019 – Pranimi i abstrakteve dhe njoftimi për abstraktet e përzgjedhura.

11 Nëntor 2019 – Afati për dërgimin e punimit të plotë.

22 Nëntor 2019  – Rishikimi final i punimeve të plota të pranuara për t’u referuar në konferencë

6 Dhjetor 2019 – Dita e Konferencës

Të gjithë pjesëmarrësit duhet të respektojnë udhëzimet e konferencës për formatin e punimit, kriteret dhe përmbajtjen e tij, në të kundërt punimet e tyre nuk do të konsiderohen për prezantimin dhe botimin e kësaj konference.

 

çështje kryesore për orientim:

  • Integriteti, anti-korrupsioni dhe të drejtat e njeriut;

  • Integriteti, anti-korrupsioni dhe shteti i së drejtës;

  • Rregullimet ligjore mbi anti-korrupsionin, privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave;

  • Rastet e korrupsionit dhe shkeljet ndaj të drejtave të njeriut;

  • Përgjegjësia dhe transparenca në vendimarrje;

  • Qeverisja e mirë dhe të drejtat e njeriut;

  • Mekanizmat e ankesave dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në raport me korrupsionin dhe parandalimin e tij;

  • Korrupsioni dhe efektet e tij në cilësinë e qeverisjes;

  • Korrupsioni dhe etika organizative;

  • Korrupsioni në sektorin publik dhe privat;

  • Korrupsioni dhe ndikimi/pasojat në zhvillimin ekonomik të vendit;

  • Demokracia, shoqëria civile dhe qeverisja e mirë;

  • Etika, Integriteti dhe politika anti – korrupsion;

  • Lufta ndaj Korrupsionit dhe përmirësimi i transparencës;

  • Lufta ndaj Korrupsionit në sistemin e drejtësisë;

  • Të drejtat e njeriut dhe mundësi të barabarta;

  • Të drejtat e njeriut dhe globalizimi;

  • Roli i sektorit privat, shoqërisë civile dhe medias në çështje që lidhen me integritetin;

  • Shteti i së drejtës, qeverisja e mirë dhe zhvillimi i qëndrueshëm;

  • Arsimi i lartë dhe roli i tij në promovimin e parimeve dhe vlerave të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe integritetit.

 

Kriteret dhe formati i punimit:

 

  • Punimi i plotë nuk duhet të kalojë 10 faqe dhe duhet të përgatitet në format A4.

  • Një abstrakt në anglisht dhe shqip me fjalët kyçe duhet të dorëzohet së bashku me punimin e plotë.

  • Fonti i shkrimit, madhësia/lloji: Times New Roman, 12, hapësirë e vetme (njëshe). Vetëm titulli i punimit me madhësi 14.

  • Marzhinat:

– lartë/poshtë: 1 ”

– majtas/djathtas: 1.25 ”

  • Referencat/citimi: Footnotes. Ato duhet të shfaqen në fund të faqes së cilës i referohen dhe numrat e citimit duhet të paraqiten në mënyrë rendore.

  • Herën e pare kur citohet referenca në tekst duhet të përfshijë, emrin e parë të autorit, mbiemrin e autorit, titullin e plotë të veprës/botimit, vendin e botimit, emrin e botuesit, vitin dhe faqet e referuara. Nëse citimi është cituar tashmë, duhet të shkurtohet dhe paraqitet mbiemri i autorit, titulli i shkurtuar dhe numrin e referuar të faqes. Nëse citimi është referuar menjëherë më parë, shënimi mund të shkurtohet edhe më tej, duke shkruar po aty (ibid), me numrin e faqes.

  • Bibliografia: Kjo vendoset në fund të punimit duke përfshirë edhe referencat e marra nga internet që duhen cituar në mënyrë të plotë, dhe duhet të jetë e strukturuar sipas rendit alfabetik të burimeve të cituara.

  • çdo autor mund të marrë pjesë vetëm me një punim (si autor ose bashkë-autor).

  • Të gjitha punimet e pranuara duhet të paraqiten në Konferencë nga vetë autori/autorët.

Abstraktet duhet të dorëzohen në adresën: isulo2000@yahoo.com.

Gjithashtu, do të vlerësonim shumë nëse do t’a ndani këtë informacion me të gjithë të interesuarit për t’u bashkuar në këtë inisiativë dhe për të marrë pjesë me kontributet e tyre në këtë konferencë studentore.

Mbetemi në dispozicionin tuaj nëse kërkohet ndonjë informacion i mëtejshëm.

Sinqerisht,

 

Bordi Shkencor i Konferencës

 

 

Na ndiqni në faqen e Facebook