ISE – Vizitë studimore në Bruksel
Gjatë kësaj jave, si pjesë e programit të Masterit Ekzekutiv “EU Membership and Accession Negotiations” (EUMAN), studentët e ISE-së zhvilluan nje vizitë studimore dy ditore në Bruksel, të shoqëruar nga Prof. dr. Aljula Jubani, drejtuese e ISE-se dhe Prof. asoc. Gentian Elezi, koordinator akademik i masterit ekzekutiv dhe përgjegjës i Departamentit të DMNBE-së. Qëllimi i vizitës ishte për t’u njohur nga afër me funksionimin e institucioneve të BE-së, si dhe zhvillimet dhe punën e përbashkët Shqipëri-BE në rrugën drejt anëtarësimit.
Ditën e parë vizita filloi me nje takim informues me Ambasadorin e Misionit të Shqipërisë në BE, Z. Ferit Hoxha. Ambasadori i njohu studentët me punën konkrete që bën misioni ynë në Bruksel dhe dinamikat më të fundit të procesit të bisedimeve për anëtarësim. Pyetjet dhe diskutimi i hapur qe vijuan u fokusuan sidomos tek hapat e ardhshme, kapacitetet institucionale dhe nevoja për gjithëpërfshirje të shoqërisë shqiptare në këtë proces strategjik për vendin.
Ky takim i parapriu takimeve të tjera që grupi zhvilloi tek institucionet kryesore të BE-së, duke ndihmuar edhe në përgatitjen dhe identifikimin e pikave më interesante për diskutimet me përfaqësuesit e BE-së. Më shumë detaje mbi takimet e tjera do të publikohen në vazhdim.
Kushdo që ka interes në programin e masterit ekzekutiv “EU Membership and Accession Negotiations”, mund të kontaktojë në adresën email të dedikuar: euman@ise.edu.al



