Dr. Ermir Gjinishi, është pedagog në Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tripolit. Më pas, ndoqi studimet në Shqipëri ku është vlerësuar me diplomën Master (2009) dhe Doktor i Shkencave (2016) në Histori, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.
Dr. Gjinishi ka një përvojë disavjeçare si studiues dhe pedagog. Interesat dhe fushat e tij të studimit janë siguria, religjioni, qytetërimet, politika, diplomacia etj.
Ai është këshilltar në Institutin e Politikave Evropiane për Studime Rajonale IPER, gjithashtu ekspert për çështjet e sigurisë, terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, etj. Ka marrë pjesë si referues, ekspert, konsulent, koordinator në disa konferenca ndër të cilat: NATO SCIENCE FOR PEACE PROJECT, ADVANCED RESEARCH WORKSHOP, organizuar nga qendra e NATO-s për studimet rajonale të sigurisë dhe paqes, Qendra e Doktrinave të Stërvitjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Friedrich Ebert Stiftung, Shoqata e Atlantikut të Veriut, etj.
Dr. Gjinishi ka qenë i ftuar si lektor në disa universitete brenda dhe jashtë vendit. Ai ka bashkëpunim të vazhdueshëm në projekte kërkimore me OJF dhe institute kërkimore si Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM, QBNE, Instituti shqiptar i medias ISHM, Instituti shqiptar për studime ndërkombëtare AIIS, etj.
Ai është përzgjedhur nga FNNPB atashuar pranë OKB-së, së bashku me 140 personalitete nga 5 kontinente, në fushat e artit, shkencës, politikës, fesë etj., për të marrë pjesë dhe kontribuar në nismën botërore për paqe në Lindjen e Mesme, gjithashtu është vlerësuar me titullin “Ambasador për Paqen” nga Federata Ndërkombëtare Ndërfetare për Paqe Botërore – Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2018 z. Ermir Gjinishi është vlerësuar me cmim “ Libri më i mirë i vitit” nga ATTIC -Edicioni 11 për monografi. Dr. Gjinishi është përkthyes, si dhe analist në gazetën Abanian DailyNews. Gjithashtu, ekspert vlerësues pranë Qendrës Kombëtare të Lirit dhe Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Prof. Asoc. Dr. Doris Malaj është pedagoge dhe hulumtuese me kohë të plotë në Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës, një pozicion që e ka mbajtur që prej vitit 2014. Aktualisht, ajo është pjesë e Departamentit të Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Nderkombëtare të BE-së ku fokusohet në mësimdhënie dhe kërkime që lidhen me integrimin evropian, demokratizimin dhe politikat e zgjerimit të BE-së.
Ajo ka përfunduar doktoraturën në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 2018 në Universitetin e Tiranës, duke mbrojtur një disertacion mbi “Performancën Demokratike të Shqipërisë,” bazuar në një analizë të thellë cilësore dhe sasiore të periudhës së tranzicionit politik të vendit. Përveç kësaj, ajo ka një master në Shkenca Politike dhe Ndërkombëtare nga Universiteti i Macerata-s në Itali, dhe një diplomë bachelor në Shkenca Politike dhe të Drejtë Publike nga Universiteti i Trier-it, Gjermani.
Në karrierën e saj akademike, ajo ka zhvilluar mësimdhënie në një serë lëndësh si “Sistemet Politike të BE-së,” “Diplomacia në BE,” “Politikat e Zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perendimor” etj. Përveç kësaj, është angazhuar si lektore e ftuar në Universitetin Eötvös Loránd në Budapest, duke trajtuar tematika mbi politikat e kushtëzimit dhe performancën politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përtej angazhimeve në mësimdhënie, Prof. Asoc. Dr. Malaj është bashkëkoordinatore dhe eksperte në projektin Jean Monnet “PerformEU,” financuar nga Komisioni Evropian, që synon të analizojë politikat e kushtëzimit dhe përmbushjen e kritereve të integrimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Prof. Malaj ka një përvojë të thelluar në fushat e politikave evropiane, integrimit dhe demokratizimit. Ajo ka kontribuar me artikuj dhe publikime shkencore në revista ndërkombëtare të njohura dhe ka prezantuar punimet e saj në konferenca të shumta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Publikimet e saj fokusohen në integrimin evropian, fuqinë transformuese të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e identitetit evropian në proceset integruese.
Ajo zotëron aftësi të avancuara analitike dhe kërkimore, duke kombinuar metoda cilësore dhe sasiore për të adresuar çështjet komplekse të politikave të BE-së dhe reformave të qeverisjes. Me një njohje të thelluar të institucioneve dhe proceseve evropiane, ajo ka ndihmuar në ngritjen e diskutimeve mbi qeverisjen e mirë dhe politikëbërjen në Shqipëri dhe rajon.
Interesat e saj kërkimore dhe fushat e ekspertizës përfshijnë politikat e zgjerimit të BE-së, demokratizimin, qeverisjen e mirë dhe politikat reformuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor