Organizoi aktivitetet e mëposhtme:
1.Promovimi i librit të Prof.Dr. Migena Leskoviku me titull: “Të drejtat e njeriut, Teoria dhe Praktika” – me pjesëmarrje të Prof.Dr. Valentina Duka dhe Prof.Dr. Skënder Kaçupi. Kjo monografi vjen në një vit të rëndësishëm që përkon me 75 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe 70 vjetorin e hyrjes në fuqi të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Publikimi është mundësuar përmes mbështetjes financiare që institucioni (ISE, UT) jep në drejtim të promovimit të punës akademike e kërkimore-shkencore të stafit akademik dhe përmirësimit të cilësisë së publikimeve që dalin nga ky institucion.
2.Forumi Studentor me temë: “Të drejtat e njeriut dhe politika antidiskriminim në perspektivën e integrimit evropian”. Në këtë forum bënë prezantime 10 studentë të ciklit Master i Shkencave, me tema mjaft interesante mbi politikat antidiskriminim, detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në BE, raste praktike dhe më pas u vijua me diskutime nga studentët e tjerë pjesëmarrës. Ashtu siç përcakton DUDNJ, çdo organ publik, institucion arsimor, organizata të shoqërisë civile duhet të përpiqen në krijimin e një kulture që kontribuon në promovimin e respektimit të këtyre të drejtave dhe lirive në praktikë. Ndaj, aktivitete të tilla synojnë të nxisin debatin studentor mbi respektimin dhe promovimin e këtyre të drejtave dhe lirive në shoqërinë e sotme, në perspektivën e integrimit evropian.Aktivitetet zhvillohen në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, dhe Fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje” (25 nëntor-10 dhjetor 2023).