Instituti i Studimeve Evropiane (ISE) është njësi kryesore, ndërfakultetore e Universitetit të Tiranës (UT), që ofron programe studimi të ciklit të dytë (Master i Shkencave) dhe të ciklit të tretë të studimeve. 

ISE është krijuar fillimisht me VKM nr. 588, dt. 02.11.2000 me emrin e Qendrës për Studime Evropiane, dhe më vonë me VKM nr. 1182, dt.03.12.2009 u shndërrua në Institutin e Studimeve Evropiane (ISE).

Referuar Statutit të UT-së, ISE është një nga njësitë kryesore të UT-së dhe ka në përbërje të saj dy departamente si njësi bazë: Departamenti “Legjislacion dhe politika të BE-së”; dhe Departamenti “Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të BE-së” që ofrojnë programe të ciklit të dytë Master i Shkencave dhe programe të ciklit të tretë të studimeve.

Programet e ciklit të dytë dhe të tretë që ofron ISE në fushën e Studimeve Evropiane synojnë të nxisin mësimdhënien dhe kërkimin shkencor duke u orientuar drejt thellimit, rikonceptimit dhe riintegrimit të njohurive shkencore, për të sjellë risi në mendimin shkencor në fushë.

Programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në Institutin e Studimeve Evropiane (ISE), UT, i përkasin nivelit të 7-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe janë konceptuar në përputhje me standartet dhe parimet e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë.

Programet e studimit që ofron ISE janë ndërtuar dhe përditësuar për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe zhvillimeve në fushën e arsimit të lartë, si edhe proceseve e zhvillimeve në fushën e integrimit evropian të vendit, rritjes së nivelit mësimor e kërkimor të krahasueshëm me standardet e universiteteve perëndimore, për të qenë në koherencë me nevojat e tregut të punës për specialistë të studimeve evropiane.

Këto programe studimi janë hartuar në përputhje me legjislacionin për arsimin e lartë në fuqi, Statutin e Universitetit të Tiranës dhe aktet e tjera rregullatore të UT-së.

 

Programet që ofron ISE synojnë krijimin e një gjenerate të re profesionistësh dhe kërkuesish duke i kushtuar vëmendje të veçantë përfshirjes së tyre në aktivitete e veprimtari akademike e kërkimore, duke u angazhuar në projekte të ndryshme me rëndësi kombëtare në fushën e integrimit evropian të vendit, dhe inkurajon bashkëveprimin me aktorë të tjerë të interesuar në këtë fushë (studime evropiane), për të rritur shkallën e bashkëpunimit me institucione të tjera vendase apo të huaja, me organizata ndërkombëtare, që adresojnë probleme që lidhen me Bashkimin Evropian.

 

 

 

  • Vizioni

ISE si një nga njësitë kryesore të UT-së, është krijuar dhe konceptuar për të zhvilluar aftësi akademike, njohuri të thelluara mbi zhvillimet aktuale në fushën e integrimit evropian, proceseve dhe politikave integruese, e që sot gjithnjë e më tepër ka interes të shtuar.

ISE, duke qenë unike në UT në programet që ofron, synon të shërbejë edhe si think tank apo si qendër ekselence dhe ekspertize në çështje që lidhen me studimet europiane dhe procesin e integrimit evropian të vendit, në një qasje multidisiplinare.

Instituti i Studimeve Evropiane ka si qëllim të veprimtarisë të tij përgatitjen dhe formimin e vazhduar të specialistëve shqiptarë, në kuadër të proceseve integruese të vendit, duke mundësuar formësimin e aftësive dhe kompetencave në çështje që lidhen me studimet evropiane, për të cilat gjithnjë e më tepër ka interes të shtuar dhe nevojë për aftësi analitike dhe kompetenca profesionale në tregun vendas por edhe atë rajonal e më gjerë.

Qëllimi është që ISE të bëhet një pikë referimi në fushën akademike e të kërkimit shkencor në nivel kombëtar dhe rajonal për profesionistët dhe studiuesit e fushës së studimeve evropiane dhe disiplinave që lidhen me të, parë kjo në një qasje multidisiplinare.

 

  • Misioni

ISE ka për mision:

  • të krijojë, të zhvillojë, të përcjellë dijet përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor,
  • të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj në fushën e studimeve evropiane, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend;
  • të ofrojë mundësi të barabarta për të përfituar nga programet që ofron dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës;
  • të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor në nivel kombëtar dhe rajonal, përmes dhënies/thellimit të njohurive specifike shkencore dhe metodologjike në studimet evropiane dhe disiplinat/nënfushat përkatëse të lidhura me të, të arrihet aftësimi i kërkuesve të rinj për kryerjen e punës së pavarur kërkimore, si dhe në prezantimin dhe botimin e arritjeve të tyre, si një politikë që tashmë ISE e ka në prioritetet e saj.
  • të mbështesë prioritetet strategjike dhe interesat e zhvillimit të vendit, posaçërisht në fushën e studimeve evropiane;
  • të integrojë mësimdhënien me kërkimin shkencor, duke pasqyruar punën dhe rezultatet e kërkimit shkencor në fushën e studimeve evropiane dhe publikimit të tyre, që do të rrisë interesin e kërkuesve dhe studiuesve të rinj.
  • të nxisë dhe forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e studimeve evropiane.
sqShqip