Projekti: Rritja e cilësisë së burimeve njerëzore të administratës publike në konceptimin dhe shkrimin e dokumentacionit zyrtar

 

Institucioni financues: AKKSHI

Institucioni zbatues: Instituti i Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës

Kohëzgjatja: 18 muaj
Fusha: Shkencat sociale dhe albanologjike – nënfusha e inovacionit
Drejtuesja e projektit: Prof. dr. Aljula Jubani

Anëtare të grupit të punës: Prof. asoc. Alnida Koroshi Prof.asoc. Anila Çepani
Prof.asoc Maklena Çabej
Prof. asoc. Ogerta Stroka
Prof. asoc. Rozana Rushiti

 

Doktorante: Rafaela Marteta
                           Teuta Buka
                           Anila Aliaj
                           Ksenia Ferro

 

Përmbledhje e projektit

Veprimtaria e administratës publike, si një fushë ndërdisiplinore, bazohet në një sërë qasjesh e parimesh teorike, që lidhen me aspekte të veçanta të veprimtarisë së saj.

Përgatitja e dokumenteve dhe e shkresave zyrtare të administratës publike është një aspekt i rëndësishëm i komunikimit administrativ, sipas të cilit duhet të respektohen kufijtë e komunikimit formal dhe saktësia gjuhësore. Vëmendja e pamjaftueshme ndaj këtyre çështjeve mund të çojë në komunikim të paqartë, ndërlikime ligjore, si dhe të krijojë një imazh joprofesional për institucionet. Ky problem vjen e shtohet për shkak të mungesës së udhëzuesve të standardizuar dhe të trajnimeve, të përshtatura posaçërisht për punonjësit e administratës në sektorë të ndryshëm.

Ky projekt synon të përmirësojë cilësinë e komunikimit zyrtar në administratën publike shqiptare përmes hartimit të një manuali standard për dokumentet dhe shkresat zyrtare, si dhe zhvillimit të moduleve trajnimi për punonjësit e administratës në nivel qendror dhe lokal.

Në një kontekst ku përdorimi i gjuhës shqipe në funksione zyrtare është jo gjithmonë i standardizuar, projekti ndërthur qasjen historike, gjuhësore dhe praktike për të ndërtuar një urë të qëndrueshme midis normës gjuhësore dhe nevojave reale të administratës moderne.

 

Objektivat kryesore

  1. Hartimi i një manuali për dokumentacionin zyrtar, me udhëzime gjuhësore dhe formale të qarta dhe të zbatueshme.
  2. Qasje digjitale përmes ndërtimit të një direktorie të dedikuar në faqen e internetit të ISE-së.
  3. Zhvillimi i moduleve trajnimi, në bashkëpunim me ASPA-n, për përmirësimin e aftësive të punonjësve të administratës publike në hartimin e shkresave zyrtare.

 

Rezultatet e pritshme

  • Manual i përgatitur dhe i shpërndarë në nivel institucional dhe kombëtar.
  • Web-direktori e dedikuar për stilin administrativ, me mundësi komunikimi.
  • Pilotim dhe certifikim i moduleve trajnimi, me synimin për t’u integruar në paketat standarde të trajnimit të administratës publike.
  • Botimi i të paktën tre artikujve shkencorë në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.
  • Organizimi i një konference ndërkombëtare për standardizimin e gjuhës dhe dokumentacionit zyrtar.

 

Pse është ky projekt i rëndësishëm?

Në përputhje me shpalljen e vitit 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe”, projekti synon të sjellë një kontribut konkret në standardizimin e stilit zyrtar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit institucional dhe në qartësinë e komunikimit administrativ.

Ky është një hap që ndihmon për funksionimin e një administrate publike më të efektshme, më transparente dhe më të kuptueshme për qytetarët.

 

Për çdo pyetje na shkruani në adresën: [aljula.jubani@unitir.edu.al]
Manuali dhe materialet do të jenë së shpejti të aksesueshme online.

 

sqShqip