Programi i Studimit Master i Shkencave në “Legjislacioni dhe institucione evropiane” ofrohet nga Departamenti i Legjislacionit dhe Politikave të BE-së në Institutin e Studimeve Evropiane (ISE), UT, dhe është hartuar në përputhje me legjislacionin për arsimin e lartë në fuqi, Statutin e Universitetit të Tiranës dhe aktet e tjera rregullatore të UT-së.
Programi i studimit Master i Shkencave “Legjislacion dhe Institucione Evropiane” synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë profesionale të studentëve, të thellimit të njohurive të tyre në fushën e legjislacionit evropian dhe institucioneve evropiane, dhe që duan të vijojnë më tej karrierrën e tyre profesionale në fushën e studimeve evropiane.
Programi i studimit MSH në “Legjislacion dhe institucione evropiane” ka përcaktuar qartë objektivat e tij, e synon që të pajisë studentët me njohuri teorike dhe praktike në fushën e legjislacionit dhe institucioneve evropiane si dhe të jenë të aftë të përballen me tregun e punës. Ky program studimi synon të japë dije dhe aftësi profesionale të nevojshme për studentët e këtij programi, të rrisë kompetencën profesionale të tyre, si dhe të gërshetojë formimin e tyre akademik- teorik dhe metodologjik me praktikën dhe ekspertizën e fushës dhe të zhvillojë aftësinë për punën në grup.
Ky program studimi është hartuar duke marrë parasysh nevojat e tregut të punës dhe zhvillimin e vendit, në përputhje me orientimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian dhe trendet e zhvillimeve rajonale e më gjerë.
Qëllimi kryesor është rritja e cilësisë profesionale të studentëve të ciklit të dytë të studimeve MSH dhe që duan të vijojnë më tej karrierën profesionale për t’u specializuar në fushën e legjislacionit dhe institucioneve evropiane. Programi përmban veprimtari mësimore-didaktiko të formimit bazë teorik, të përvetësimit të metodologjisë së kërkimit, të realizuara nëpërmjet moduleve mësimore, punës së pavarur, eseve/punimeve si pjesë e kërkesave në lëndë të caktuara të këtij programi, praktikave mësimore, etj.
Studentët që ndjekin këtë program studimi do të kenë mundësi të punësohen apo të vijojnë karrierën e tyre profesionale në një sërë sektorësh apo organesh, institucione (vendase dhe/ose të huaja) që lidhen me aplikimin e legjislacionit evropian dhe institucioneve evropiane.
Ky program studimi synon të:
a. Pajisë të diplomuarit me njohuri të thelluara në të drejtën e Bashkimit Evropian dhe Institucionet e BE-së, si dhe të gërshetojë formimin e tyre akademik teorik dhe metodologjik me praktikën dhe ekspertizën e fushës dhe të zhvillojë aftësinë për punën në grup;
b. Inkurajojë dhe aftësojë studentët të formojnë pikëpamjet e tyre dhe të gjenerojnë analiza për çështjet e rëndësishme të procesit të integrimit evropian;
c. Japë njohuri mbi krijimin e Bashkimit Evropian, evolucionin e institucioneve evropiane dhe kompleksitetin dhe dinamikat që ndikojnë në procesin e integrimit në BE.
ç) Pajisë të diplomuarit me njohuri specifike shkencore dhe metodologjike në të Drejtën e Bashkimit Evropian dhe disiplinat përkatëse, të domosdoshme për aftësimin e të diplomuarve për kryerjen e punës së pavarur kërkimore, si dhe në prezantimin dhe publikimin e arritjeve të tyre.
Ai jep mundësi për studentët që duan të vijojnë ciklin e tretë të studimeve në fushën e studimeve evropiane, për t’iu përgjigjur nevojave për specialistë të integrimit evropian dhe rritjes së nivelit mësimor e kërkimor të krahasueshëm me standardet e universiteteve perëndimore.
Ky program studimi është pjesë e programeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, me 120 ECTS, i përket nivelit të 7-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, dhe është konceptuar në përputhje me standartet dhe parimet e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë