Nis zyrtarisht një projekt i ri kërkimor për transformimin digjital të arsimit profesional!
Instituti i Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik (DRFPP) të qarkut Elbasan, organizoi takimin e parë për nisjen e punës për projektin
“Krijimi i një modeli për ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore të Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik (DRFPP) përmes arsimit digjital – Rast studimor, qarku Elbasan”, mbështetur nga AKKSHI, në kuadër të thirrjeve PTI.
Ky projekt synon të zhvillojë një model të qëndrueshëm për forcimin e kompetencave digjitale të instruktorëve të formimit profesional, përmes kërkimit shkencor, metodave inovative të mësimdhënies dhe përdorimit të teknologjisë. Ai kontribuon në modernizimin e arsimit profesional dhe mbështet prioritetet e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, në veçanti në kuadër të Kapitujve 10, 25 dhe 26 të Acquis Communautaire.
Gjatë takimit u prezantuan objektivat, metodologjia, rezultatet e pritshme, institucionet bashkëpunëtore dhe u përcaktuan detyrat dhe hapat e parë të zbatimit të projektit. Projekti parashikon hartimin e një manuali për aftësitë digjitale të instruktorëve, zhvillimin e burimeve dhe platformave digjitale, publikime shkencore dhe trajnime për stafin e DRFPP Elbasan.
Falënderojmë AKKSHI-n për mbështetjen e kësaj nisme, e cila synon të sjellë një ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin e arsimit profesional dhe në përgatitjen e burimeve njerëzore për sfidat e ekonomisë digjitale.